Mediat ruse relativizojnë masakrën e Reçakut pas njoftimeve për film ndërkombëtar

Projekti filmik për masakrën e Reçakut, një nga plagët më të mëdha të historisë së Kosovës, ka nxitur reagime të forta në media edhe para fillimit të xhirimeve. Përveç reagimeve në rajon, artikuj të mediave shtetërore ruse, përfshirë Sputnikun, kanë filluar të publikojnë shkrime që e relativizojnë ngjarjen.

Sipas artikujve të botuar në Rusi, shqetësimi lidhet me faktin se në film pritet të përfshihen aktorë ndërkombëtarë, përfshirë emra të mëdhenj të Hollivudit. Mediat ruse kanë shkruar se, sipas tyre, Fitim Krasniqi ka konfirmuar se Robert De Niro do të luajë rolin e babait të tij. Prania e një figure të tillë në një film për Reçakun përmendet si faktor me rëndësi simbolike.

Nga analizimi i artikujve vihen re tre pika kryesore:
1) Frika se një film ndërkombëtar mund të dokumentojë dhe përhapë një narrativë të kundërt me atë që Rusia dhe Serbia tentojnë ta promovojnë; Reçaku konsiderohet si moment që ekspozoi krimet e regjimit të Millosheviqit, dhe për këtë arsye tema mbetet e ndjeshme.
2) Tensioni i shkaktuar nga përfshirja e aktorëve të profilit të lartë, siç është rasti i Robert De Niros, i cili përmendet si element me efekt simbolik.
3) Frika se filmi do të ndikojë në formimin e opinionit ndërkombëtar dhe të përcaktojë narrativën e ngjarjes para një audience globale.

Në shkrimet e publikuara, Sputnik përmend raportin e OSBE-së, por e shoqëron këtë referencë me përpjekje relativizimi: rrëfen se William Walker, i cili dokumentoi masakrën, “insistoi në akuzë për masakër mbi civilët”. Kjo gjuhë, siç vërehet në artikujt rusë, synon të hedhë dyshime mbi gjetjet ndërkombëtare dhe dëshmitë për ngjarjen.

Mediat ruse kanë promovuar prej vitesh narrativën se në Reçak u vranë “ekstremistë të armatosur”, duke injoruar gjetjet e misioneve ndërkombëtare dhe dëshmitë që i kundërvihen kësaj përshkrimi.

Reagimet e mediave ruse tregojnë se publikimi i lajmit për një film ndërkombëtar mbi Reçakun vjen në një moment kur ngjarjet e luftës në Kosovë janë rikthyer në vëmendjen globale, veçanërisht në një kontekst të tensionuar mes Perëndimit dhe Rusisë.

Derisa të nisin xhirimet, pritet që reagimet të vazhdojnë dhe të thellohen, pasi çdo hap drejt rrëfimit të ngjarjeve historike para një audiencë ndërkombëtare ngre debat rreth interpretimit të tyre.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *