Melazim Koci: Zgjedhjet e reja mund të sjellin zgjidhje, nevojitet maturi dhe kompromis

Analisti politik Melazim Koci, në emisionin “Përballje Podcast”, tha se zgjedhjet e reja parlamentare kanë më shumë mundësi të prodhojnë një zgjidhje politike, por paralajmëroi se vendi rrezikon të futet në një krizë të thellë nëse subjektet nuk tregojnë maturi dhe gatishmëri për kompromis.

Sipas Kocit, pas një viti me tri palë zgjedhje, kombëtare dhe lokale, Kosova është futur në një cikël të papërballueshëm politik dhe institucional. Ai tha se pas zgjedhjeve të ardhshme partitë nuk do të kenë luksin të vazhdojnë me bllokada.

“Gjasat janë më të mëdha që pas këtyre zgjedhjeve të ketë zgjidhje, sepse subjektet politike do ta kuptojnë që në të kundërtën e dërgojnë Kosovën në humnerë,” deklaroi Koci.

Si shenjë pozitive për tejkalimin e krizës, ai përmendi qëndrimin e ri të PDK-së pas zgjedhjes së Bedri Hamzës kryetar dhe deklaratën se kjo parti nuk do të ketë më “vija të kuqe”. Koci vuri në dukje edhe urimin e kryeministrit Kurti ndaj Hamzës si një sinjal politik që mund të lehtësojë komunikimin mes palëve.

Megjithatë, ai paralajmëroi se procesi nuk do të jetë i lehtë. Përveç formimit të qeverisë, pas zgjedhjeve do të duhet të zgjidhet edhe Presidenti i Republikës, gjë që rrit përgjegjësitë e partive.

“Tani nuk duhen vetëm 61 vota. Duhet të arrihen 80 vota, sepse në pako do të jetë edhe zgjedhja e presidentes. Kjo e detyron secilën parti të negociojë seriozisht,” tha Koci.

Ai theksoi gjithashtu se diskursi i fundit politik, i cili flet për “dy palë zgjedhje”, është kryesisht retorikë dhe në realitet nuk do të ndodhë, për shkak të kohës, afateve dhe proceseve që nuk e lejojnë një veprim të tillë.

Në përfundim, Koci bëri thirrje që partitë të ulin tensionet, të shmangin gjuhën përçarëse dhe të përgatiten për kompromis, pasi stabiliteti i vendit do të varet nga sjellja e tyre pas zgjedhjeve.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *