Mentor Haziri tregon arsyen e largimit nga Big Brother VIP Kosova

Këngëtari i njohur i muzikës rock, Mentor Haziri, ka reaguar për herë të parë pas largimit të menjëhershëm nga Big Brother VIP Kosova 4. Ai e ndërpreu pjesëmarrjen në spektakël pa kaluar as 24 orë brenda shtëpisë, një vendim që ngjalli kuriozitet dhe reagime të shumta në publik.

Përmes një postimi në InstaStory, Haziri shpjegoi arsyet që e çuan drejt këtij vendimi. Ai tha se vetëm një ditë para hyrjes në shtëpinë e BBVK, kishte varrosur djalin e dajës, një humbje që e kishte tronditur rëndë emocionalisht.

“Dhimbja ishte shumë e madhe për ta përballuar për një njeri që ka qenë shumë i afërt me mua… Zemërthyerja ishte më e madhe se sa ky vendim dhe ajo bëri të veten”, shkroi Haziri, duke sqaruar se gjendja e tij psikologjike nuk ia lejonte të vazhdonte në format.

Ai falënderoi produksionin e Big Brother VIP Kosova për mikpritjen dhe profesionalizmin, duke theksuar se ishte pritur me shumë dashamirësi dhe respekt.

“Ju falënderoj nga zemra të gjithëve e veçanërisht produksionin e Big Brother VIP Kosova. Ju më keni prit si me qenë njeri i shtëpisë”, u shpreh ai.

Sipas këngëtarit, qëndrimi i mëtejshëm në shtëpi do të ndikonte negativisht jo vetëm te ai personalisht, por edhe te formati, pasi nuk do të mund të kontribuonte me energji, humor apo këngë.

Megjithatë, ai shprehu vlerësime të larta për nivelin e produksionit, duke e cilësuar Big Brother VIP Kosova si një program të krahasueshëm me formatet ndërkombëtare.

“BB Kosova VIP është një super produksion, me nivel shumë të lartë, që krahasohet dhe tejkalon shumë nga formatet e tilla në Evropë e në botë. Banorët brenda janë fantastik, me energji e humor të madh”, tha Haziri.

Në fund të mesazhit, këngëtari shfaqi urime për banorët, duke u dëshiruar një rrugëtim të mbarë dhe spektakël të paharrueshëm, ndërsa shprehu edhe një herë mirënjohjen për mirëkuptimin dhe mbështetjen e produksionit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *