Mesfushori sulmues i Kosovës, Meriton Korenica, shkëlqeu sërish në kampionatin rumun, duke shënuar golin e tretë në fitoren 3-0 të Clujit ndaj liderit të ligës, Rapid Bukuresht.
Korenica realizoi golin të dielën mbrëma dhe pas ndeshjes e dedikoi atë për nënën e tij, e cila për herë të parë kishte udhëtuar për ta parë live në stadium. “Nëna ime ishte motivim shtesë, ishte hera e parë që erdhi të më shihte në stadium këtu. Ajo zakonisht ka frikë të shikojë ndeshje në kohë reale, por bëri një përjashtim. Ky gol është për nënën time”, deklaroi Korenica.
Ai shtoi se për Clujin rëndësi ka vetëm rezultati dhe foli për objektivat e klubit: “Ne vazhdojmë luftën për play-off. Nuk duam të ndalemi këtu. Falënderoj shokët e mi të ekipit dhe trajnerin dhe shpresoj të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë”.
Korenica ka katër gola në 16 ndeshje në kampionat dhe dy asistime, ndërsa në të gjitha garat numëron pesë gola dhe shtatë asistime, duke u bërë një nga lojtarët vendimtarë të skuadrës.
Në renditje, Rapid Bukuresht kryeson me 35 pikë, ndërsa Cluji zë vendin e 11-të me 19 pikë, duke vijuar luftën për zonën e play-off. /Telegrafi/