Messi: Barcelona është shtëpia ime, do të kthehem

Lionel Messi ka riafirmuar edhe një herë lidhjen e tij të ngushtë me Barcelonën, teksa pranoi çmimin e revistës SPORT si ‘Lojtari më i Mirë i Barcelonës’ për shekullin XXI.

“Doja ta mbyllja karrierën time te Barcelona, pa pasur nevojën të shkoja në një klub tjetër. Fatkeqësisht, gjërat morën një drejtim tjetër, por jam shumë mirënjohës për këtë çmim”, deklaroi Messi gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit.

Ai kujtoi edhe momentet e shumta të përjetuara me klubin katalanas:
“Kaluam shumë gjëra bashkë, të mira dhe jo aq të mira — kjo është e natyrshme në një karrierë të gjatë. Barcelona është shtëpia ime, vendi im dhe familja ime.”

Pavarësisht largimit në vitin 2021 në rrethana të vështira, Messi theksoi se lidhja me klubin mbetet e pandryshuar.

Në një intervistë për gazetën katalunase SPORT, ai ndau emocionet për vizitën e tij surprizë në Camp Nou dhe për mungesën e tifozëve gjatë largimit të tij, për shkak të pandemisë.

“Ka kaluar shumë kohë që kur kam qenë për herë të fundit në stadium. U largova nga klubi pa tifozë dhe ai sezon ishte shumë i pazakontë. Kam kujtime të bukura dhe falënderoj të gjithë njerëzit e Barcelonës. Kam një dashuri të veçantë për të gjithë.”

Messi shtoi se ndonëse aktualisht është larg, ndjenjat e tij për klubin nuk janë zbehur:

“Sigurisht, do të kthehem. Do të jem në stadium si çdo tifoz tjetër, do ta ndjek ekipin dhe do të jem një mbështetës si gjithë të tjerët. Për momentin mund të qëndroj edhe disa vite larg, por do të kthehemi sepse Barcelona është shtëpia ime. Na mungon shumë.”

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *