Meta ndalon përdorimin e Instagram, Facebook dhe Threads për të miturit në Australi

Kompania Meta ka njoftuar se do të bllokojë aksesin në Instagram, Facebook dhe Threads për përdoruesit në Australi që janë nën moshën 16 vjeç. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 10 dhjetor, në përputhje me rregulloren e re të vendit që synon kufizimin e përdorimit të mediave sociale nga të rinjtë.

Ndalimi prek gjithashtu platforma të tjera si TikTok, YouTube, X dhe Reddit. Kryeministri australian, Anthony Albanese, e ka cilësuar këtë masë si një ndër më të avancuarat në botë, me qëllim që “fëmijët të kenë mundësi të jenë fëmijë”.

Edhe pse Meta dhe kompani të tjera e kanë kundërshtuar këtë vendim, ato kanë pranuar ta zbatojnë. Meta ka filluar të njoftojë përdoruesit që dyshohet se janë në moshën 13 deri 15 vjeç përmes mesazheve në aplikacion, email-eve dhe njoftimeve të tjera, se llogaritë e tyre do të mbyllen.

Nga data 4 dhjetor, Meta do të nisë çaktivizimin e llogarive ekzistuese dhe do të bllokojë hapjen e të reja nga përdoruesit nën 16 vjeç. Procesi pritet të përfundojë më 10 dhjetor.

Kompania ka deklaruar se do të përdorë metoda të ndryshme për verifikimin e moshës dhe do të ndërmarrë një “qasje minimizuese të të dhënave”, duke kërkuar informacione shtesë vetëm kur dyshohet për saktësinë e moshës së deklaruar.

Sipas rregullatorit të internetit në Australi, në vend ka rreth 350,000 përdorues të Instagramit dhe 150,000 të Facebookut të moshës 13 deri 15 vjeç. Të dhëna për përdoruesit e Threads nuk janë publikuar. Meta ka bërë të ditur se adoleshentët mund të përditësojnë të dhënat e tyre të kontaktit për t’u lajmëruar sapo të mbushin moshën 16 vjeç.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *