Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë Samitit të Liderëve “Rruga Jonë Drejt BE-së” në Tiranë, tha se Plani i Rritjes për vendin është më shumë se një iniciativë; është një proces i shndërrimit të angazhimit në ndryshim konkret.
“Ky ishte rezultat i një pune të përkushtuar dhe një besimi të fortë në vlerat evropiane. Axhenda jonë e reformave, e miratuar nga Komisioni Evropian, përqendrohet në atë që ka vërtet rëndësi – qeverisja e mirë, energjia e pastër, arsimi, zhvillimi i biznesit dhe sundimi i ligjit. Këto nuk janë qëllime abstrakte. Ato janë themelet e një shteti modern evropian, realiteti i përditshëm që duam t’u ofrojmë qytetarëve tanë”, shkruan Mickoski në profilin e tij në Facebook.
Ai nënvizon se sivjet qeveria paraqiti dy kërkesa për shpërndarjen e fondeve që mbështesin reformat prioritare, me fokus veçanërisht në shërbimet dixhitale, forcimin e klimës së biznesit dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë. Sipas tij, tranzicioni i gjelbër, nga konviktet me efikasitet energjetik deri te investimet në infrastrukturën e transportit dhe hekurudhave, tregon se rritja dhe qëndrueshmëria mund të ndodhin paralelisht.
Mickoski thekson se këto hapa tregojnë se kur integrojmë tregjet, lidhim rrugët dhe harmonizojmë rregullat, po praktikojmë vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian.
(Burimi: Telegrafi Maqedoni)