Mickoski uron shqiptarët për 22 Nëntorin: thekson rëndësinë e alfabetit për Maqedoninë

Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë mbledhjes solemne të qeverisë, uroi qytetarët shqiptarë për 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Në fjalën e tij Mickoski vlerësoi Kongresin e vitit 1908 si një hap të rëndësishëm drejt unifikimit të alfabetit dhe si themel të kohezionit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Ai tha: “Suksesi është projekt i përbashkët. Vetëm nëse veprojmë me respekt, besim dhe përgjegjësi mund të arrijmë rezultate që e shtyjnë atdheun përpar. Në Kongresin e vitit 1908, intelektualët shqiptarë bënë një hap të madh drejt krijimit të një alfabeti të unifikuar, themel i kohezionit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Ishte një akt me rëndësi të thellë evropiane, një akt modernizimi të arsimit dhe hapjeje. Në një periudhë kur Ballkani po përballej me sfida të mëdha, Kongresi i Manastirit tregoi se fuqia e një shoqërie buron nga njohuria, gjuha dhe besimi në të ardhmen.”

Ai nënvizoi se kjo ditë është e rëndësishme edhe për Maqedoninë dhe e cilësoi vendin si “shtet i diversiteteve” që pasurojnë historinë kombëtare. “Komuniteti shqiptar, me gjuhën, kulturën, traditën dhe vlerat e tij, është pjesë thelbësore e shtetit tonë”, tha kryeministri.

Mickoski vlerësoi përpjekjet e atyre që luftuan për arsimin, shkrimin dhe zhvillimin kulturor dhe falënderoi edhe të gjithë ata që vazhdojnë këtë rrugë sot. Ai tha se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave që ndërtojnë besim ndër-etnik, krijojnë hapësirë për zhvillimin dinjitoz të gjuhëve dhe kulturave dhe forcojnë kohezionin mes qytetarëve.

Sipas tij, Qeveria po punon për projekte që krijojnë jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, dhe për institucione që kujdesen për barazinë dhe integrimin.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *