Ministri gjerman i Jashtëm ndan përvojën nga turneu në Ballkanin Perëndimor

Në një video të publikuar nga avioni qeveritar, pas kthimit nga vizita në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, shfaq telefonin e tij ku në playlist figuron albumi “Radical Optimism” i këngëtares Dua Lipa.

Ai ndau edhe një detaj personal, duke treguar: “Kam pasur një biletë për të shkuar me vajzën time të vogël në koncertin e saj, por pastaj u bëra ministër i Jashtëm.”

Në një postim në Instagram, Wadephul foli për rëndësinë e turneut të tij në Ballkanin Perëndimor. “Pas meje qëndron një udhëtim intensiv në Ballkanin Perëndimor, i cili tregoi edhe një herë se ky është një moment vendimtar për Evropën,” shkroi ai.

Sipas ministrit, pyetja thelbësore është se si Evropa dëshiron të formësojë sigurinë dhe të ardhmen e kontinentit. “Në kohën kur agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës vazhdon me ashpërsi, nuk mund t’ia lëmë rajonin tonë fqinj ndikimit të shteteve autoritare,” theksoi ai.

Fokusi i bisedimeve me liderët e rajonit ishte procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Të gjashtë vendet duan të bëhen pjesë e BE-së, komunitetit tonë të paqes dhe vlerave,” tha Wadephul, duke shtuar se nuk ka rrugë të shkurtër drejt anëtarësimit dhe se të gjitha kriteret duhet të përmbushen: nga shteti ligjor dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, deri te garantimi i të drejtave themelore demokratike.

“Kur përpjekjet për reforma janë të dukshme dhe zbatohen në mënyrë të qëndrueshme, ato duhet të shpërblehen me një perspektivë të qartë për anëtarësim,” nënvizoi ai. Wadephul përmendi se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë përparime të mëdha në vitet e fundit.

Ai shtoi se edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të kryejë reforma, duke përmendur si shembull vendimmarrjen më efikase me shumicë të kualifikuar. “Vetëm në këtë mënyrë Evropa mund të mbetet funksionale dhe e gatshme për zgjerim,” përfundoi ministri gjerman, duke theksuar se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane dhe se Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm në këtë rrugë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *