Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Partneriteti për Reforma: Dialogu Ministror Ballkani Perëndimor – Italia”, e mbajtur në Romë. Gjatë panelit për reformën e administratës publike dhe integrimin evropian, ai paraqiti prioritetet kryesore të Qeverisë për ndërtimin e një administrate profesionale, efikase dhe transparente në funksion të qytetarëve dhe të vlerave evropiane.
Ngjarja u organizua nga Ministria Italiane e Administratës Publike, Shkolla Kombëtare e Administratës së Italisë (SNA) dhe Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA). Në konferencë morën pjesë ministra nga rajoni, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe ekspertë të fushës.
Fjalime në konferencë mbajtën Ministri Italian i Administratës Publike Paolo Zangrillo, Presidentja e SNA-së Paola Severino dhe Drejtoresha e ReSPA-s Maja Haxhiska-Trendafilova.
Në fjalën e tij, Ministri Minçev theksoi rëndësinë e reformës në administratën publike dhe drejtimin strategjik të vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ai theu se synimi është krijimi i një administrate që i shërben qytetarëve dhe mbështet parimet evropiane.
Minçev foli edhe për kuadrin e ri ligjor që po zbatohet për shërbimin publik, duke nënvizuar rëndësinë e tre ligjeve të reja të cilat, sipas tij, vendosin themelet për një model modern të menaxhimit të burimeve njerëzore.
“Përmes këtyre ligjeve, po krijojmë një sistem të bazuar në merita, profesionalizëm dhe integritet. Qëllimi është një administratë që funksionon sipas rregullave, jo përjashtimeve”, u shpreh Minçev.