Ministria e Financave njofton se ndryshimet dhe plotësimet e miratuara në Ligjin e TVSH-së nuk do të ndryshojnë mënyrën e marrjes së dërgesave nga jashtë vendit, përfshirë ato të porositura përmes platformës TEMU.
Sipas ministrisë, dërgesat që qytetarët porosisin nga TEMU deri më tani kanë pasur TVSH të përllogaritur në çmimin e produktit dhe kjo praktikë vazhdon edhe pas ndryshimeve në ligj. Kjo do të thotë se qytetarët nuk do të paguajnë asnjë shumë shtesë kur marrin dërgesën dhe nuk do të kenë detyrim të ri pagese.
TVSH-ja e përfshirë në çmimin që i shkon shtetit paguhet nga dërguesi ose nga operatori postar i autorizuar me të cilin platforma ka marrëveshje. Ministria thekson se ndryshimet ligjore nuk ndryshojnë metodën e pranimit dhe zhdoganimit të dërgesave.
Kuvendi votoi ndryshimet në Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të cilat shfuqizojnë lirimet nga TVSH-ja për dërgesat online me vlerë deri në 22 euro.
Ministria thotë se qëllimi i këtyre ndryshimeve është përforcimi i ekonomisë vendase, mbështetja e kompanive lokale dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Sipas saj, ndryshimet do të ndihmojnë edhe në reduktimin e ekonomisë gri dhe do të parandalojnë abuzimet e mundshme, si importimin e mallrave të liruara nga TVSH-ja që më pas shiten në tregun vendas, duke siguruar një mjedis tregu të drejtë dhe të kontrolluar.
Burimi: Telegrafi