Moti i paqëndrueshëm përfshin Shqipërinë me reshje dhe erëra të forta

Shqipëria po ndikohet këtë të enjte nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, duke sjellë një ditë me mot të vranët dhe reshje të vazhdueshme shiu.

Që në orët e para të mëngjesit, pjesa më e madhe e vendit është përfshirë nga reshje me intensitet të ulët deri mesatar. Zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore do të përjetojnë rrebeshe më të forta, të shoqëruara me shtrëngata dhe stuhi lokale.

Reshjet pritet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, me intensitet të ndryshueshëm. Rajonet perëndimore janë më të rriskuarat për reshje të dendura, ndërsa në zonat malore të verilindjes dhe në Alpe parashikohen reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi rreth 8 metra në sekondë, por në zonat bregdetare dhe gjatë periudhave me vranësira të theksuara, ajo mund të arrijë deri në 20 metra në sekondë.

Deti do të jetë i trazuar, me valëzim që mund të arrijë forcën 4 deri në 5 ballë.

Instituti i Meteorologjisë u bën thirrje qytetarëve të ndjekin përditësimet zyrtare për ndryshime të mundshme në parashikim.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *