Moti i paqëndrueshëm të premten, priten reshje dhe erë e fortë

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU) njofton se Shqipëria do të ndikohet të premten nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura. Reshjet e shiut priten që nga orët e para të ditës deri në mëngjes, me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit. Në zonën jugore reshjet do të jenë me intensitet mesatar deri të lartë, herë-herë me shtrëngata.

Gjatë ditës reshjet do të vazhdojnë të jenë të herëpashershme, me intensitet të ulët deri mesatar në shumicën e territoreve. Në veriperëndim dhe jugperëndim priten reshje herë-herë me intensitet deri të lartë.

Në majat e maleve në verilindje, në pjesën lindore dhe në Alpe priten reshje bore me intensitet të ulët, lokalisht deri mesatar.

Era do të fryjë nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, e cila herë-herë përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore mund të arrijë shpejtësi deri në 20 m/s.

Deti: valëzimi në detet Adriatik dhe Jon me forcë 4–6 ballë.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU). /Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *