Muçunski takon komisaren evropiane për Zgjerim në Bruksel

Perspektivat evropiane të vendit, sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ishin temat kryesore të takimit midis ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Muçunski, dhe komisares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i zhvilluar në Bruksel.

Gjatë takimit u konfirmua angazhimi i vazhdueshëm i vendit në rrugën e integrimit evropian, përfshirë procesin e reformave dhe miratimin e legjislacionit që përbën pjesë të rëndësishme të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, komisarja Kos shprehu mbështetje për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit evropian dhe përshëndeti vazhdimësinë në reformat si dhe fokusin e Qeverisë pas zgjedhjeve lokale.

Muçunski pritet të marrë pjesë mbrëmjen e sotme në një darkë joformale me shefat e diplomacisë të gjashtë vendeve kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor. Ngjarja organizohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

Për nesër është planifikuar që Muçunski, së bashku me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, të takohen me komisionerin evropian për Barazi Ndërgjeneracionale, Rini, Kulturë dhe Sport, Glen Mikalif.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *