Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i dedikuar futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e Kosovës.
Për javën e 14-të të këtij edicioni, çmimi iu dha Muhamet Hysenit nga KF Llapi. Ai luajti 81 minuta, shënoi dy gola dhe asistoi në golin e katërt në fitoren 4:2 të ekipit të tij kundër FC Ballkanit në Suharekë.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Hyseni u shpreh: “E kemi pasur një ndeshje të vështirë ndaj FC Ballkanit në Suharekë; megjithatë, jemi të lumtur që e kemi përgatitur ndeshjen mirë dhe kemi shënuar fitore.”
“Klubi ynë nuk e ka nisur kampionatin në mënyrën më të mirë, por e kemi rimarrë formën dhe tashmë nuk po mungojnë as rezultatet.”
“Personalisht, jam i lumtur që jam rikthyer në Superligë, aty ku edhe e kam lënë, duke shënuar gola dhe duke u ndier mirë që po e ndihmoj ekipin drejt qëllimit për të qenë në pjesën e epërme të tabelës, që është edhe synimi ynë. Falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin për ndihmën e dhënë që të bëjmë diferencën”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
Burim: Telegrafi.