Mungesë mësimdhënësish në Stapanicë, nxënësit e klasave IV–V pa mësim mbi dy muaj

Nxënësit e klasave të 4-të dhe 5-të në shkollën fillore “Kajtaz Ramadani”, paralele e ndarë në fshatin Stapanicë të Komunës së Malishevës, prej më shumë se dy muajsh (rreth 60 ditë) nuk po zhvillojnë proces të rregullt mësimor për shkak të mungesës së mësimdhënësve. Nxënësit shkojnë në shkollë, por shpesh nxirren para përfundimit të orarit.

Nxënësit tregojnë se nuk kanë mësim që rreth dy muaj. “Në shkollë vina për çdo ditë, mësim nuk mbajmë që dy muaj. Veç po vijmë e po kthehemi pas, nuk po vijnë mësuesit,” thotë Luan Veselaj, nxënës i klasës së 4-të. “Mësim nuk mbajmë tash e dy muaj se nuk na vjen mësuesja,” shton Ronela Krasniqi, nxënëse e klasës së 4-të.

Prindërit shprehin shqetësim dhe pakënaqësi për zvarritjen e zgjidhjes. “Jemi të shqetësuar për shkak të neglizhencës së mësimit. Klasa e 4-të dhe e 5-të për shkak të mësueses që ka qenë më herët në pushim të lehonisë, nuk kanë mësim. DKA e Malishevës e ka hapur konkursin për të sjellë mësues, por kandidatet e para kanë refuzuar, dhe është hapur konkursi tjetër. Në realitet nuk po mbahen mësime tash e dy muaj,” deklaron Shaban Musaj, prind.

Disa prindër e konsiderojnë situatën si shumë të vështirë për fëmijët. “I sjellim fëmijët këtu, i lëmë në shkollë dhe na thonë shkoni nga shtëpia. Taman shkojmë te shtëpia, na thonë hajdeni, merrni djalin pasi nuk ka mësim. Nuk kanë mësim prej tre muajsh,” thotë Hazir Veselaj, prind.

Sabit Berisha, u.d. i drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Malishevë, thotë se problemi pritet të zgjidhet së shpejti. “Ne e kemi hapur konkursin menjëherë për Stapanicë, por procedurat për hapjen e konkursit marrin kohë. Jemi në finalizim. Sigurisht që në momentin që do fillojmë punën me mësuesin e ri do konsultohemi për të bërë kompensim të orëve,” deklaroi ai, duke shtuar se situata pritet të zgjidhet të hënën.

Burimi: TV Dukagjini

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *