Murati: LDK po përdor krizën e transportit në Prishtinë për fushatë elektorale

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës se po del kundër interesave të qytetarëve dhe po e përdor kryeqytetin për fushatë elektorale.

Në një konferencë për media, Murati tha se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po përpiqet të fajësojë Qeverinë dhe Ministrinë e Financave për problemet në sektorin e transportit urban, ndërsa sipas tij situata është pasojë e vendimeve të papërgjegjshme të komunës.

Murati deklaroi se ka takuar përfaqësuesit e operatorëve të transportit që protestuan para Komunës së Prishtinës dhe para Qeverisë, dhe theksoi se problemet janë shkaktuar nga vetë komuna.

“Problemi i parë është se ky problem është i vetëshkaktuar, pasi ka pasur vendime elektorale për t’i larguar nga pagesa shumicën e qytetarëve, duke ia ngarkuar barrën Komunës së Prishtinës, e cila as nuk e kishte buxhetin e miratuar,” tha Murati.

Ai shtoi se, përveç trafikut urban, komunës i ka pësuar edhe sektori privat i transportit.

“Problemi i dytë është që komuna nuk e ka miratuar buxhetin, dhe as buxheti i shtetit nuk u votua në Kuvend, sepse edhe LDK-ja mungoi. Ky mosvotim e bëri problemin e Prishtinës të pariparueshëm,” tha Murati.

Ministri e përshkroi situatën si një fushatë elektorale të udhëhequr nga Abdixhiku në dëm të qytetarëve, duke thënë se kryeqyteti është detyruar të funksionojë me vetëm 1/12 e buxhetit emergjent.

“LDK-ja, në mungesë të kauzave të vërteta politike, ka vendosur të sabotojë, të marrë peng qytetarët e Prishtinës dhe të mbajë peng qytetin. Nga premtimet për transformim të trafikut urban, tani kemi kaluar në ‘bankrotim’. Po shihet qartë se kjo propagandë po bëhet për kalkulime politike, duke u mohuar qytetarëve shërbime publike vetëm që të fajësohet Qeveria apo Ministria e Financave,” përfundoi Murati.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *