Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, reagoi pas akuzave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili pretendoi se Qeveria po bllokon të hyrat vetanake dhe rrezikon shërbimet esenciale në kryeqytet.
Murati tha se Thesari alokoi buxhetin e muajit dhjetor për Komunën e Prishtinës të premten pasdite, para kohe, me qëllim që të paguheshin faturat urgjente, si ajo e energjisë elektrike.
Sipas tij, pavarësisht se buxheti ishte i gatshëm, stafi i Komunës nuk kryeu pagesat. “Nga Thesari më njoftuan se stafi i Komunës e kishte përfunduar orarin dhe nuk kishte kryer asnjë pagesë, me arsyetimin: ‘i kryejmë të hënën'”, shkroi Murati.
Murati u shpreh i habitur dhe tha se veprimi i komunës nuk përputhej me urgjencën që Rama kishte paraqitur kur kërkoi alokimin e parakohshëm të buxhetit.
Ai deklaroi se arsyeja për vonesë ishte politike: “Në vend se të paguanin faturat, Përparim Rama dhe nënkryetarët e tij zgjodhën të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës. Po t’i paguanin faturat të premten, nuk do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën”, tha Murati.
Ai akuzoi edhe drejtuesit e LDK-së për mospërkrahje të qëllimshme në Kuvend: “Kjo e sqaron edhe pse Lumir Abdixhiku dhe deputetët e LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën. Në mungesë të kauzave reale, nuk po i kursejnë as qytetarët e kryeqytetit”, u shpreh Murati.
Reagimi i ministrit erdhi pasi Rama paralajmëroi krizë serioze të shërbimeve publike në Prishtinë, përfshirë ndërprerjen e transportit publik, për shkak të mungesës së mjeteve të alokuara.
Qeveria, nga ana tjetër, hedh poshtë akuzat për bllokadë dhe i atribuoi problemet menaxhimit komunal.