Muzeu i Alfabetit Shqip po shënon Ditën e Kongresit të Manastirit me një sërë aktivitetesh. Ky kongres historik u mbajt në Manastir dhe përfundoi më 22 nëntor 1908, kur u mor vendimi për unifikimin e alfabetit shqip.
Drejtori i muzeut, Nuer Arsllani, tha se solemnitetit qendror, i cili do të mbahet nesër, i paraprijnë aktivitete të ndryshme në hapësirat e institucionit.
Ai bëri të ditur se këto ditë janë realizuar programe edukative me nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën, është promovuar një ekspozitë që pasqyron periudhën e Kongresit të Manastirit, dhe të ftuar kanë qenë profesorët Arsim Sinani dhe Dorina Dariu nga Tirana. Dje u organizua një tribunë shkencore. Sipas tij, sot në orën 14:00 do të mbahet një orë poetike në ambientet e muzeut, ndërsa sonte në kinemanë ‘Manaki’ do të shfaqet një film dokumentar.
Manifestimet për Kongresin e Manastirit dhe 22 nëntorin përfundojnë nesër, në ditën e festës, kur muzeun do ta vizitojnë delegacione qeveritare dhe kuvendore nga Maqedonia, si dhe nga jashtë.
Që nga 22 nëntori i vitit 2007, Dita e Alfabetit Shqip festohet si festë shtetërore dhe është ditë jopune për qytetarët e komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Burimi: Telegrafi.