Një ndërprerje e përkohshme në sistemin e kompanisë Cloudflare shkaktoi probleme të përhapura në disa shërbime të njohura, përfshirë Spotify, ChatGPT dhe Truth Social – rrjeti social i ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Ky incident vjen pas një sërë ndërprerjesh të mëdha në internet, përfshirë ato në Amazon Web Services dhe Microsoft Azure gjatë muajve të fundit. Sipas ekspertëve, prapaskenat e këtyre ndërprerjeve lidhen me varësinë e madhe nga shërbimet digjitale, përqendrimin e infrastrukturës teknike në pak kompani dhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj çdo problemi teknologjik.
Nga Cloudflare thanë për CNN se ndërprerja nuk ishte rezultat i një sulmi kibernetik, por i një problemi teknik. Kompania shpjegoi se një “skedar konfigurimi” i përdorur për të menaxhuar trafikun e kërcënimeve u rrit përtej madhësisë së parashikuar, duke shkaktuar rënie në sistemin e softuerit që përpunon trafikun për disa prej shërbimeve kryesore të platformës.
Drejtori i teknologjisë në Cloudflare, Dane Knecht, sqaroi në rrjetin social X se një ndryshim rutinë në konfigurim aktivizoi një defekt që më pas shkaktoi një degradim të gjerë të rrjetit.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe nga kompani të tjera. Për shembull, problemi i fundit në Amazon ndodhi kur dy sisteme të automatizuara tentuan të përditësonin njëkohësisht të njëjtat të dhëna.
Edhe pse tre ndërprerje të mëdha ndodhën brenda më pak se një muaji, ekspertët thonë se numri i përgjithshëm i rasteve ka mbetur relativisht i qëndrueshëm. Sipas Angelique Medina nga Cisco ThousandEyes, ndërprerjet ndjehen më shumë për shkak të zgjerimit të përdorimit të këtyre shërbimeve.
Të dhënat nga Cisco tregojnë se deri më tani në vitin 2025 janë regjistruar 12 ndërprerje të mëdha, pa përfshirë atë të Cloudflare. Në vitin 2024 ishin raportuar 23 raste, ndërsa në 2023 u regjistruan 13 dhe në vitin 2022, dhjetë.
Downdetector, platforma që ndjek ndërprerjet në internet, regjistroi më shumë se 2.1 milionë raportime të problemeve vetëm të martën, sipas të dhënave të publikuara nga kompania mëmë, Ookla. Cloudflare vetë përpunon mesatarisht 81 milionë kërkesa HTTP në sekondë.
Ndërprerjet teknologjike janë të zakonshme, thonë specialistët. Sipas profesorit Mike Chapple nga Universiteti Notre Dame, dikur ndërprerjet në mjediset e punës ishin të përditshme, por sot varësia e madhe nga një numër i vogël ofruesish i bën këto probleme më të ndjeshme.
Cisco vëren se ndërprerjet e vitit 2025 ndjekin disa modele të zakonshme: dështime zinxhirore, defekte të fshehura në sisteme që dukeshin në rregull dhe ndryshime të pasakta konfigurimi. Edhe pse këto nuk janë dukuri të reja, efekti i tyre është më i gjerë dhe më i ndjeshëm.
“E gjitha kjo mund t’i ndodhë çdo biznesi”, tha Eileen Haggerty nga kompania Netscout, duke theksuar se ndërprerjet mbeten një sfidë reale edhe për kompanitë më të mëdha teknologjike.