Në fund të këtij muaji pritet të nisë debati publik për disa ligje të reja që lidhen me arsimin e lartë. Këto ligje janë përgatitur nga trupi i posaçëm për reforma në arsimin e lartë, krijuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se draftet e ligjeve tashmë janë gati, por nuk janë publikuar ende në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (RKER) për të shmangur çdo perceptim të gabuar gjatë kohës së zgjedhjeve.
“Trupi për reforma në arsimin e lartë ka punuar intensivisht gjatë gjithë vitit të kaluar. Nuk ka funksionuar si një grup i vetëm, por është ndarë në njësi sipas fushave të veçanta. Ata kanë përgatitur Ligjin për arsimin e lartë, më pas, së bashku me anëtarë të Këshillit Kombëtar, kanë punuar për Ligjin për shkencën dhe hulumtimin. Në fund kanë përfunduar edhe Ligjin për cilësinë në arsimin e lartë. Besoj se deri në fund të muajit do të fillojmë debatin publik”, tha ministrja Janevska gjatë konferencës “Ndërtimi i të ardhmes – aftësi praktike për gjeneratën e re”.
Ajo shtoi se grupi i njëjtë ka punuar edhe në përgatitjen e Ligjit për Agjencinë për Inovacion, Zhvillim Shkencoro-Teknologjik dhe Ndërmarrësi (INOVA), si dhe është duke përgatitur Ligjin për programin Erasmus Plus.
“Anëtarët e këtij grupi po punojnë në mënyrë vullnetare dhe me përkushtim të madh. Ata kanë kaluar ditë dhe netë nëpër fakultete dhe në ministri për të hartuar ligje cilësore”, theksoi Janevska.
Si pjesë e reformave, janë ndërmarrë edhe kontrolle të institucioneve të arsimit të lartë me akreditim aktiv. Deri më tani janë mbyllur 14 institute shkencore private dhe një fakultet privat për shkak të shkeljeve ligjore dhe mosrespektimit të vërejtjeve të inspektoratit të arsimit.