Mbi 20 të punësuar me kontratë dhe 58 punëtorë social sezonal janë larguar nga puna në Komunën e Kërçovës.
TV21 mëson se kontratat e 58 punëtorëve sezonalë ishin të vlefshme deri në gusht 2026, ndërsa për 20 të tjerë kontratat kishin afat deri në fund të dhjetorit.
Kryetari i komunës, Aleksandar Jovanovski, arsyetoi masën duke thënë se kontratat ishin para skadimit dhe se vendimi u mor për të vlerësuar cilët punonjës janë realisht të nevojshëm për komunën. Ai shtoi: “Shihe, t’u them realisht kontratat e punës ishin para përfundimit dhe ne e bëmë këtë në interesin e tyre por edhe interesin e Komunës që të shohim cilit nga ata realisht janë të nevojshëm. Besoni se listën mund ta shohim megjithatë unë nuk di kush janë dhe më mirë që nuk e di sepse ajo u bë në mënyrë jo selektive.”
Për vendimin reagoi dega e BDI-së në Kërçovë, që e cilësoi si të padrejtë, të motivuar politikisht dhe si një riorganizim mbi baza etnike. Nga BDI u tha: “Integrimi i shqiptarëve në çdo nivel institucional nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese e cila nuk mund të negociohet as të injorohet. Andaj, u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse të rishikojnë me kujdes secilin rast dhe të sigurojnë që çdo vendim të jetë në përputhje me legjislacionin dhe standardet profesionale.”
Reagime pati edhe në rrjetet sociale. Mbetet të shihet nëse të punësuarit do të ankohen për largimin para skadimit të kontratave. /tv21