Një djalë nëntëvjeçar me shtetësi braziliane ka humbur dy maja gishtash pas një sulmi nga shokët e klasës në një shkollë në Portugali. Ngjarja ndodhi më 10 nëntor në shkollën Fonte Coberta në Cinfães, distrikti Viseu.
Njëzet e shtatë avokatë kanë marrë përsipër përfaqësimin e fëmijës në këtë çështje, e cila përshkruhet si një rast ekstrem i bullizmit.
Sipas nënës së tij, Nivia Estevam, djali u bllokua në një banjo shkolle nga dy shokë klase që mbyllën derën dhe i prenë majat e gishtave. I paaftë për të kërkuar ndihmë, ai humbi shumë gjak dhe u detyrua të zvarritej nën derë me gishtat e prerë.
Estevam tha se para incidentit të nëntorit djali ishte viktimë e sulmeve të mëparshme, përfshirë shqelmime, ngufatje dhe shkulje të flokëve nga bashkëmoshatarët.
Fëmija i nënshtrohet operacionit treorësh në spitalin São João në Porto. Ai vazhdon të marrë medikamente për dhimbje dhe antibiotikë çdo 12 orë.
Nënë e ka bërë me dije se për shkak të traumës psikologjike djali përdor tableta për gjumë dhe përjeton ankth të përsëritur, duke qarë çdo natë kur rikujton sulmin. Ajo tha se gjatë ditës ai duket më i qetë kur i lejohet të përdorë telefonin ose të shikojë televizor, por në mbrëmje përsëritjet e ngjarjes bëhen të vështira.
Avokatja Ana Paula Filomeno, që drejton çështjen civile, tha se ekipi ligjor është organizuar në njësi të veçanta për mbështetje civile, penale dhe psikologjike, për të trajtuar situatën traumatike. Hetuesit po shqyrtojnë nëse ksenofobia ka luajtur rol, megjithatë avokatja thekson se origjina e sulmit konsiderohet e parëndësishme për shkak të dëmit të rëndë të shkaktuar. Ajo gjithashtu vuri në dukje se ngjarje të ngjashme po ndodhin në shkolla në Portugali dhe nuk janë raste të izoluara.
Burimi: Telegrafi.