Nesër, në orën 13:00 në Zurich të Zvicrës, do të hidhet shorti i fazës play-off për Kupën e Botës 2026. Në këtë ndarje, Kosova dhe Shqipëria do të mësojnë kundërshtarët e tyre për gjysmëfinalet dhe, nëse kualifikohen, edhe rivalët e mundshëm për finalen e grupit që siguron pjesëmarrjen në Botëror.
Të dy kombëtaret janë pozicionuar në vazon 3, së bashku me Irlandën dhe Bosnje-Hercegovinën. Në total, në këtë fazë marrin pjesë 16 skuadra, të ndara në katër vazo në bazë të renditjes së FIFA-s dhe kritereve të përcaktuara nga UEFA dhe FIFA.
Sipas strukturës së shortit:
– Ekipet e vazos 1 përballen me ato të vazos 4
– Ekipet e vazos 2 përballen me ato të vazos 3
Kjo do të thotë se Kosova dhe Shqipëria do përballen me një përfaqësuese nga vazoja e dytë: Poloninë, Uellsin, Çekinë ose Sllovakinë.
Përbërja e vazove është si më poshtë:
– Vazo 1: Italia, Danimarka, Turqia, Ukraina
– Vazo 2: Polonia, Uellsi, Çekia, Sllovakia
– Vazo 3: Shqipëria, Kosova, Irlanda, Bosnje-Hercegovina
– Vazo 4: Suedia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut
Sistemi i ndeshjeve parashikon që gjysmëfinalet të zhvillohen me një ndeshje të vetme, më 26 mars 2026. Skuadrat e vazos 1 dhe 2 do të luajnë në fushën e tyre, çka nënkupton se Kosova dhe Shqipëria do të luajnë si mysafire në këtë raund.
Fituesit e gjysmëfinaleve kalojnë në finalet përkatëse të play-off-it, që do të zhvillohen më 31 mars 2026. Shorti përcakton gjithashtu edhe se cili ekip do të ketë avantazhin e fushës në finalet.
Në prag të hedhjes së shortit, emocionet janë të mëdha për Kosovën dhe Shqipërinë, që mbajnë gjallë shpresat për një vend në Kampionatin Botëror “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”.