Neurologët paralajmërojnë: Multitaskingu dëmton trurin me kalimin e viteve

Neurologët thonë se një zakon i përditshëm dëmton trurin me kalimin e viteve, dhe shumica e njerëzve e praktikojnë pa e kuptuar. Ndërsa hyjmë në të dyzetat dhe pesëdhjetat, shumë kërkojnë mënyra për të ruajtur aftësitë kognitive afatgjata.

Sipas ekspertëve, truri fillon të tkurret që në të tridhjetat dhe të dyzetat, dhe ky proces përshpejtohet rreth moshës 60 vjeç. Edhe pse zvogëlimi i trurit dhe humbja e neuroneve janë pjesë e plakjes, ushqimi dhe zakonet e përditshme mund të ngadalësojnë këtë proces.

Një zakon i cilësuar si i dëmshëm nga neurologët është multitaskingu — kryerja e disa detyrave njëkohësisht. “Kur bëjmë multitasking, në fakt po kalojmë me shpejtësi nga një detyrë në tjetrën dhe kjo kërkon më shumë përpjekje mendore. Ndikon në aftësinë tonë për të ruajtur fokusin dhe e ngarkon kujtesën punuese”, shpjegon Dr. Greg Cooper.

Dr. Brendon Crawford shton se: “Sa herë që ndërroni fokusin, korteksi prefrontal duhet të shkëputet nga një detyrë, të shtypë atë qark nervor, të aktivizojë një tjetër dhe të ri-orientohet.”

Pse përqendrimi në një detyrë është më i shëndetshëm?
Të dy specialistët theksojnë se multitaskingu ka pasoja afatshkurtra dhe afatgjata. Dr. Crawford thotë se së shpejti multitaskingu shkakton lodhje kognitive, e cila manifestohet me vështirësi për t’u përqendruar dhe rraskapitje mendore.

Dr. Cooper nënvizon se multitaskingu rrit numrin e gabimeve dhe e vështirëson procesin e të mësuarit. Nga ana tjetër, Dr. Crawford paralajmëron se afatgjatë multitaskingu mund të ulë sasinë e lëndës gri të trurit dhe të rrisë nivelin e kortizolit, që mund të jetë neurotoksik për hipokampusin.

Specialistët rekomandojnë të fokusoheni në një detyrë në një moment. Dr. Crawford sugjeron të filloni me blloqe vëmendjeje: periudha pune të përqendruara 20-minutëshe, me telefonin në ‘airplane mode’ dhe njoftimet të fikura. Ai shton se me këtë qasje mund të riparoni gradualisht dëmin e shkaktuar nga multitaskingu: “Lajmi i mirë është se truri mund të ndryshojë.”

Përqendrimi i plotë në një detyrë (monotasking) sjell më shumë qartësi mendore dhe ndjenjë më të vogël mbingarkese, edhe pse në fillim mund të duket i pakëndshëm pasi është kundër zakoneve të ndërtuara prej vitesh.

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *