Nga shtatori i vitit të ardhshëm, klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta në Shqipëri do të kenë tekste të përditësuara.
Ministria e Arsimit e konsideron këtë hap si pjesë të reformës për modernizimin e sistemit parauniversitar, si një nevojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të kohës.
“Të kemi nxënës që përdorin mirë mendimin kritik dhe të përqasnim kurrikulën me atë ç’ka ndodh dhe me tregun e punës”, tha zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani.
Sipas Ministrisë, tekstet do të ndryshohen në masën 20%. Kjo nënkupton ndërhyrje në tematika që janë të vjetruara, në ushtrime që kanë sjellë vështirësi ose që janë tepër të lehta për moshën e nxënësve. Synohet gjithashtu të përmirësohet metodologjia, duke e bërë më praktike dhe më pak teorike.
Nxënësit e klasave të para, të gjashta dhe të dhjeta do të kenë një libër të ri të qytetarisë. Nga shtatori, nxënësit e viteve të para të gjimnazeve do të kenë gjithashtu tekst të ri të gjuhës shqipe, pasi Ministria thekson se fokusi te gjuha amtare është i domosdoshëm.
“Nuk do të mungojnë orët e drejtshkrimit dhe sintaksës, por kryesisht fokusi do të jetë në zbatimin e drejtë të gjuhës, ajo që kërkohet sot nga të gjithë, dhe orët e gjuhës shqipe të jenë më praktike dhe në funksion të asaj që nxënësi duhet të mësojë për gjuhën amtare”, theksoi Ministria.
Paralelisht me ndryshimet në tekste do të bëhet trajnimi i mësuesve, që të jenë të gatshëm të vënë në zbatim kompetencat e kurrikulës së re.
Puna për ndryshimin e të gjitha teksteve shkollore do të vijojë deri në vitin 2029 për të gjitha klasat e sistemit parauniversitar në vend. /Tv Klan/