Ngrihet aktakuzë ndaj tre personave për mashtrim, detyrim dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë mashtrim, detyrim, kallëzim të rremë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, i pandehuri K.K. akuzohet për veprën penale në tentativë ‘Detyrimi’, si dhe për vepra të tjera penale, ‘Mashtrim’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Gjatë viteve 2023–2024, ai dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 485 mijë eurosh, duke mashtruar të dëmtuarin E.N. përmes një marrëveshjeje joformale për shitjen e disa banesave. Sipas prokurorisë, pasi ka marrë shumën e parave, K.K. nuk e ka përmbushur marrëveshjen për shitjen.

Ndërkohë, i pandehuri A.M. akuzohet për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe për ‘Kallëzim të rremë’, pasi dyshohet se ka bërë një deklarim të pavërtetë kundër të dëmtuarit E.N.

Personi i tretë i akuzuar, D.M., përballet me akuzën për ‘Detyrimi’, pasi, sipas prokurorisë, ka kërcënuar E.N. me qëllim që të përfitojë dobi pasurore dhe ta detyrojë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Rasti pritet të shqyrtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *