Pesëdhjetë nga 315 fëmijët që u rrëmbyen të premten nga persona të armatosur nga një shkollë katolike në shtetin Niger të Nigerisë kanë arritur të ikin dhe janë ribashkuar me familjet e tyre, njofton Shoqata e Krishterë e Nigerisë.
Një operacion i madh kërkim-shpëtimi i udhëhequr nga ushtria është duke u zhvilluar për 265 fëmijët e mbetur dhe 12 mësuesit që u morën me ta. Nxënësit dhe mësuesit u morën nga Shkolla St Mary në Papiri, shteti Niger. Policia lokale thotë se burra të armatosur sulmuan shkollën rreth orës 02:00 (01:00 GMT), duke rrëmbyer nxënësit që qëndronin atje.
Sipas një grupi të krishterë të përfshirë në rast, nxënësit arritën të arratiseshin midis të premtes dhe të shtunës, në një përpjekje të guximshme dhe të rrezikshme për t’i shpëtuar pengmarrësve të tyre. Raportet e mëparshme flisnin për 303 nxënës dhe 12 mësues të marrë peng.
Duke bërë thirrje për lirimin e të rrëmbyerve, Papa Leo XIV shprehu “trishtim të madh” dhe i kërkoi autoriteteve të veprojnë shpejt, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Pas këtij rrëmbimi masiv në Niger, autoritetet në disa shtete nigeriane urdhëruan mbylljen e shkollave. Vendimi erdhi edhe pas një marrjeje pengjesh më të vogël në shtetin Kebbi të hënën, ku 20 nxënës u rrëmbyen nga një shkollë me konvikt.
Guvernatori i shtetit Niger, Mohammed Umaru Bongo, njoftoi të shtunën se të gjitha shkollat në zonë do të mbylleshin, duke paralajmëruar se “nuk ishte koha për të gjetur fajtorin për dështimin.”
Për Telegrafi.