Ka nisur sot gjykimi për tragjedinë në diskotekën Puls në Koçani, ku humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë u plagosën. Seanca e parë dëgjimore u mbajt në orën 09:30 në sallën e gjyqit në burgun e Idrizovës, nën masa të shtuara sigurie dhe me praninë e një ekipi mjekësor.
Çështja përfshin gjithsej 38 të pandehur – 35 individë dhe tre persona juridikë. Procesi gjyqësor do të zhvillohet me dy seanca në javë. Gjykata u ka bërë thirrje mediave që të raportojnë me dinjitet, pa sensacionalizëm dhe me respekt për viktimat dhe familjet e tyre.
Gjykimin po e drejton gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa prokuroria përfaqësohet nga një ekip i zgjeruar prej 15 prokurorësh publikë, me synimin për të garantuar një proces të drejtë dhe efikas.
Aktakuza përfshin akuza për krime të rënda kundër sigurisë publike, duke përfshirë mangësi të mëdha në organizimin e sigurisë së objektit. Ndër të pandehurit janë pronarë lokalesh, menaxherë, inspektorë, kryetarë komunash, roje sigurie dhe nëpunës civilë.