Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njofton se nesër, më 21 nëntor 2025, fillon procedura për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidimin e kandidatëve të pavarur për kryetarë të komunave Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë, Rostushë dhe Qendër Zhupë.
Nënshkrimet do të mblidhen para zyrtarëve kompetentë në sektorët dhe zyrat rajonale të KSHZ-së, si dhe para noterit, çdo ditë pune nga ora 08:30 deri në 16:30. Ditën e fundit, më 30 nëntor, procedura do të zgjasë deri në orën 24:00.
Sektori rajonal i KSHZ-së në Gostivar është përgjegjës për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për kryetarë të komunave Gostivar, Mavrovë, Rostushë dhe Vrapçisht, ndërsa zyra e KSHZ-së në Dibër është përgjegjëse për komunën Qendër Zhupë.
Zgjedhjet e përsëritura për kryetarët e këtyre komunave janë caktuar pasi në zgjedhjet lokale të 19 tetorit 2025 nuk u zgjodhën kryetarët e komunave përkatëse.