Nis në Prishtinë edicioni i tretë i Festivalit të Teatrit Shqiptar ‘MOISIU’ (22-27 nëntor)

Teatri Kombëtar i Kosovës njofton se edicioni i tretë i Festivalit të Teatrit Shqiptar ‘MOISIU’ zhvillohet në Prishtinë nga 22 deri më 27 nëntor.

Festivali, i konsoliduar si një nga ngjarjet kryesore teatrore në hapësirën shqiptare, mbledh në një skenë trupa dhe artistë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Ky edicion ofron një program të pasur artistik, me shfaqje, interpretime dhe krijime që, sipas organizatorëve, reflektojnë nivel të lartë profesionalizmi dhe thellim të bashkëpunimit kulturor ndërmjet teatrove shqiptare, përcjell Telegrafi.

Organizatorët theksojnë se festivali synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për shkëmbim artistik, zhvillim të praktikave teatrale dhe ngritje të standardeve në skenën kombëtare.

Teatri Kombëtar ka ftuar mediat të ndjekin nga afër aktivitetet e festivalit, përfshirë shfaqjet, panelet, takimet me artistë dhe ngjarjet shoqëruese, duke vlerësuar se pjesëmarrja e tyre është e rëndësishme për promovimin e artit dhe kulturës.

Përveç programit zyrtar, organizatorët njoftojnë se çdo ditë, nga ora 12:00, në bifenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit do të mbahen diskutime dhe kritika teatrore mbi shfaqjet konkurruese të edicionit të tretë të Festivalit ‘MOISIU’.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *