Instituti i Shëndetit Publik ka izoluar rastet e para të gripit në vend. Epidemiologët njoftojnë se në qarkullim është gripi i tipit A, i njëjti tip që po qarkullon në gjithë Europën.
Sipas specialistëve, bashkë me gripin po qarkullojnë edhe Covid dhe virozat stinore, dhe infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes kanë një tendencë rritjeje. Vetëm në një javë rreth 12 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për infeksione respiratore.
Derisa janë vetëm rastet e para dhe nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme për ashpërsinë, deri tani raportohen raste të lehta, ndërsa shtrimet në spital, si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit, janë minimale.
Tendenca në rritje pritet të vazhdojë deri në fund të janarit dhe fillim të shkurtit, kur epidemiologët presin të arrihet kulmi i sezonalitetit të gripit.
Si dallim nga Covid, gripi shoqërohet shpesh me temperaturë të lartë (shpesh 38–40°C), dhimbje të theksuara muskulare, rrufë, skuqje dhe lotim të syve, kollë të fortë dhe dobësi të madhe.
Viruset aktualisht kanë prekur të gjitha grupmoshat, por më të përhapura sipas specialistëve janë tek të vegjlit. (Burimi: abcnews)