Nga sot deri më 24 nëntor, në organizim të Rrjetit për Edukim Mediatik, mbahen për të shtatën herë Ditët e Edukimit Mediatik 2025. Gjatë kësaj periudhe, anëtarët e rrjetit dhe partnerët e tyre do të organizojnë mbi njëzet ngjarje në lokacione të ndryshme në gjithë vendin, ndërsa disa aktivitete do të zhvillohen edhe online. Ky program është pjesë e Javës Globale të Edukimit Mediatik dhe të Informacionit të UNESCO-s.
Konferenca hapëse me temë “BE – Ballkani Perëndimor”, e organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, u mbajt sot në Shkup. Drejtori i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), Zoran Trajçevski, theksoi se fokusi i këtij viti është mendimi kritik dhe përgjegjësia në hapësirën digjitale, nën moton “Ti din, tjetri nuk din”.
“Sot, më shumë se kurrë, nuk mjafton të dallojmë dezinformatat – duhet të reagojmë, të ndajmë njohuri dhe të jemi qytetarë aktivë”, u shpreh Trajçevski.
ASHMAA njoftoi se kjo konferencë është një nga ngjarjet kryesore rajonale të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm në fushën e edukimit mediatik dhe njëherazi shënon fillimin zyrtar të Ditëve të Edukimit Mediatik 2025.
Ambasadori i BE-së në vend, Mihalis Rokas, theksoi rëndësinë e përforcimit të reagimit kolektiv ndaj dezinformatave dhe ndikimeve të aktorëve të jashtëm keqdashës, në një ambient mediatik që po ndryshon me shpejtësi për shkak të mediave sociale, inteligjencës artificiale dhe manipulimit përmes informacioneve.
“Edukimi mediatik është një nga mjetet më të fuqishme për mbrojtjen e shoqërive. Kur qytetarët dinë të njohin përmbajtjet e rreme dhe të kërkojnë burime të besueshme, ata bëhen mbrojtës aktivë të demokracisë. Kjo është një nga shtytjet kryesore për nismën ‘Mburoja Evropiane për Demokracinë’, e cila synon forcimin e qëndrueshmërisë sonë përballë manipulimit informativ”, tha ambasadori Rokas.
Konferenca trajton disa tema kyçe, përfshirë rolin e platformave të mediave sociale në përhapjen dhe zgjidhjen e dezinformatave, dezinformimin gjinor dhe urrejtjen digjitale, përgjigjet institucionale ndaj kërcënimeve të jashtme, përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe ndikimin tek gjeneratat e reja.
Për të mbështetur aktivitetet, ASHMAA ka prodhuar video dhe audio spote në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze, të cilat po transmetohen në media, me synimin që sa më shumë qytetarë të informohen për Ditët e Edukimit Mediatik. Këtë vit, këto reklama do të shfaqen edhe në ekrane të mëdha në lokacione të ndryshme në Shkup.
Informacione më të detajuara për ngjarjet, si dhe për përmbajtjet mediatike që do të transmetohen, janë të disponueshme në faqet zyrtare mediumskapismenost.mk dhe avmu.mk, si dhe në platformat Facebook, Instagram dhe Youtube të Rrjetit për Edukim Mediatik.