Në të gjitha shkollat e vendit prej disa ditësh ndihet atmosfera e përgatitjeve për festat e 28 dhe 29 nëntorit, ditët e Pavarësisë dhe të Çlirimit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa punime që nxënësit kanë krijuar përmes programit “Art dhe Zeje” me motivet e festave.
“Pak çaste nga atmosfera e bukur e festave të Nëntorit në shkollat tona, ku gjithçka merr jetë falë duarve të fëmijëve, përkushtimit të mësuesve dhe mbështetjes së prindërve përmes programit Art dhe Zeje”, shkruan Rama.
Në programin “Art dhe Zeje” nxënësit shprehin talentin e tyre përmes vizatimit, pikturës dhe punimeve me dorë. Ky program është shtrirë edhe këtë vit shkollor në 100 shkolla të tjera për të nxitur kreativitetin tek fëmijët dhe për të promovuar mësimin përmes artit.
Këtë javë në Shqipëri më 28 nëntor festohet 113-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, ndërsa më 29 nëntor shënohet 81-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Burimi: Telegrafi.