Reperi amerikan Offset ka çaktivizuar llogarinë e tij në Instagram pas akuzave të ish-bashkëshortes së tij, Cardi B, për ngacmim dhe kërcënim.
Profili i tij tashmë shfaqet si i padisponueshëm, ndërsa vendimi për ta mbyllur llogarinë vjen mes një përplasjeje publike që lidhet me atësinë e djalit të porsalindur të Cardi B-së me yllin e NFL-së, Stefon Diggs, raportoi Page Six.
Zanafilla e konfliktit u bë një postim i mëparshëm i Offset në rrjetet sociale, ku ai shkroi “Fëmija im” pas lajmit për lindjen e fëmijës së Cardi-t. Reagimi i Cardi B erdhi në rrjetin social “X”, ku në një postim të fshirë më vonë ajo tha se ndihej e kërcënuar.
“Të gjithë mendojnë se është qesharake, por nuk është. Ka kaluar më shumë se një vit dhe ende më përndjek dhe më kërcënon deri në atë pikë sa ndiej sikur jeta ime është në rrezik. Është gjithçka argëtim dhe lojëra derisa është tepër vonë”, shkroi artistja.
Publicisti i Offset i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar postimet që i atribuohen reperit si të sajuara.
“Të gjitha deklaratat që i atribuohen Offset dhe që qarkullojnë në mediat sociale janë të rreme. Cardi reagoi ndaj dezinformatave dhe situata u përshkallëzua pa nevojë. Offset vazhdoi ta mbështeste Cardin dhe i uron asaj vetëm më të mirat”, tha ai.
Cardi B paraqiti kërkesë për divorc nga Offset në gusht të vitit 2024, pas gati shtatë vitesh martesë. Fëmija i tyre më i vogël, vajza Blossom, lindi në shtator 2024, disa javë pas paraqitjes së kërkesës për divorc.