Një operacion i përbashkët i autoriteteve nga gjashtë vende evropiane, i koordinuar nga Eurojust dhe Europol, ka goditur një nga grupet më të mëdha kriminale të trafikut të objekteve historike në kontinent.
Gjatë aksionit, i zhvilluar më 19 nëntor, janë arrestuar 35 persona dhe janë kontrolluar mbi 125 lokacione. Autoritetet raportojnë se kanë sekuestruar mbi 3,000 artefakte me vlerë mbi 100 milionë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e objekteve të dyshuara të trafikuara nga ky grup arrin 870 milionë euro.
Operacioni përfshiu edhe Shqipërinë, ku SPAK bashkëpunoi me autoritetet evropiane për ekzekutimin e urdhrave të hetimit dhe kontrollit të disa lokacioneve të dyshuara. Kontrollime u kryen paralelisht edhe në Bullgari, Francë, Gjermani dhe Greqi.
Sipas Eurojust, të sekuestruarit përfshijnë monedha antike ari dhe argjendi, vepra arti dhe antikitete të tjera. Autoritetet gjithashtu konfiskuan dokumente, pajisje elektronike, mbi 50 mijë dollarë në para të gatshme dhe ar për investime.
Hetimet nisën pas zbulimit në vitin 2020 në Bullgari të më shumë se 7,000 artefakteve të lashta, të dyshuara si të vjedhura nga gërmime të paligjshme. Sipas hetuesve, grupi kriminal ishte i specializuar në vjedhjen dhe trafikimin e objekteve kulturore — përfshirë maska, bizhuteri, armatura, monedha ari dhe argjendi si dhe vepra arti — të cilat pastaj shpërndaheshin përmes një rrjeti ndërkombëtar.
Mes të arrestuarve është edhe një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i dyshuar për financimin e gërmimeve të paligjshme dhe krijimin e rrjeteve të trafikut që shtriheshin në disa vende evropiane.
Operacioni vazhdon. Artefaktet e sekuestruara do t’i nënshtrohen verifikimeve për të përcaktuar origjinën dhe pronësinë e ligjshme, ndërsa autoritetet njoftuan se hetimet do të zgjerohen për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë dhe rrugët e trafikut që mund të përfshijnë vende të tjera të rajonit.
Burimi: Telegrafi