Institucionet e sigurisë dhe inspektimit në Kosovë realizuan një operacion pesëditor kundër trafikimit me qenie njerëzore, i koduar Vjeshta 2025. Aksioni u zhvillua nga 10 deri më 15 nëntor, në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës, Inspektoriatit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT‑MINT), Inspektoratit të Punës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
Qëllimi i operacionit ishte identifikimi i hershëm i viktimave të mundshme të trafikimit, kontrollimi i aktiviteteve të paligjshme dhe parandalimi i shfrytëzimit në lokale dhe hapësira publike në të gjithë territorin e vendit.
Gjatë operacionit u inspektuan 50 lokale me muzikë live, ku u evidentuan 449 persona, prej tyre 357 gra dhe 92 burra. Nga këta, 168 ishin shtetas të Kosovës dhe 281 shtetas të huaj. Për shkelje administrative, gjashtë lokale u mbyllën nga IQMT‑MINT.
Po ashtu, u kontrolluan 73 qendra masazhi, ku u evidentuan 201 persona (162 gra dhe 39 burra), prej të cilëve 112 ishin shtetase të Kosovës dhe 89 të huaja. Pesë qendra masazhi u mbyllën për shkelje administrative.
Gjatë aksionit u inicuan tetë raste lidhur me veprën penale keqtrajtim apo braktisje e fëmijës. Janë arrestuar tetë gra të dyshuara — katër shtetase të Kosovës dhe katër të huaja — dhe u identifikuan 19 fëmijë që kërkonin lëmoshë.
Ndërkaq, u inicua një rast për marrje me prostitucion, ku u arrestuan katër persona, tre burra dhe një grua, të gjithë shtetas të Kosovës.
Inspektorët kontrolluan edhe një objekt me tetë njësi banesore në Prishtinë, i dyshuar se përdorej për qira ditore përmes platformave si Airbnb dhe Booking pa qenë i regjistruar si biznes. Objekti u mbyll nga IQMT‑MINT, ndërsa Administrata Tatimore e Kosovës nisi procedura administrative ndaj pronarit. Në banesa u gjetën shtetas vendorë dhe të huaj, dhe në hetime u angazhua edhe njësia e kufirit.
Punonjësit e hasur në lokalet e muzikës dhe qendrat e masazhit u intervistuan për të përcaktuar nëse ishin viktima të trafikimit, por gjatë këtij procesi nuk u evidentua asnjë rast i tillë.
Operacioni Vjeshta 2025 konsiderohet një nga aksionet më të gjera ndër‑institucionale në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë, duke përfshirë një numër të madh njësish policore mbështetëse dhe inspektorësh të nivelit qendror.