Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka caktuar më 28 dhjetor 2025 mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Ajo nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, respektivisht legjislaturën e nëntë. Vendimi u njoftua në konferencë për media pas takimit konsultativ me partitë politike parlamentare.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, ka mirëpritur caktimin e datës. Ai tha se dita e zgjedhjeve është “festë e demokracisë” dhe shtoi: “Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik.”
Kurti gjithashtu shkroi: “Ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin.”