Kryetari i GUXO, Faton Peci, tha se në takimin e sotëm presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka firmosur shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.
Peci theksoi se presidentja veproi drejt, pasi edhe njëherë i kërkoi dhe u lut të gjitha partive politike që të mbahej një seancë e radhës sot për të adresuar disa çështje urgjente.
Sipas tij, këto çështje lidhen me probleme që rrezikojnë që kategori të caktuara të mbeten pa paga, si punonjësit e RTK-së dhe të tjerë.
Peci shtoi se nuk pati dakordim nga shumica e partive për t’i adresuar këto nevoja elementare, dhe për këtë arsye presidentja firmosi shpërbërjen e Kuvendit, duke hapur rrugën për zgjedhje të jashtëzakonshme.
GUXO mbrojti qëndrimin që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor, sipas Pecit.