Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u përgjigj sot për mediat lidhur me situatën e krijuar me buxhetet e tri komunave: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.
Ajo deklaroi se ka kërkuar nga partitë politike që të mblidhen dhe t’i votojnë buxhetet, duke theksuar se përgjegjësia për mospjesëmarrjen bie mbi subjektet politike. “Kam kërkuar nga partitë të mblidhen dhe ta votojnë buxhetin, për këto komuna ka qenë pikë e veçantë, por kanë vendosur mos të jenë të pranishëm. Një gjë e tillë është e lejueshme, nuk është e kundërligjshme, pasi një gjë të tillë e kemi votu edhe në Qeverinë Hoti”, tha Osmani për Klan Kosova.
Buxhetet për vitin 2025 nuk janë miratuar në kuvendet komunale të Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut. Po ashtu, buxheti nuk u miratua në Kuvendin e Kosovës, pasi partitë opozitare e cilësuan procedurën si të jashtëligjshme dhe bojkotuan seancën e thirrur nga deputetët e VV-së.
Si pasojë e kësaj situate, nga sot është pezulluar puna e linjave të Trafikut Urban në kryeqytet. Punëtorët e kompanisë thanë se janë pa paga tash e gjashtë muaj dhe protestuan fillimisht para Komunës së Prishtinës e më pas para Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka kërkuar takim kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke kërkuar një zgjidhje urgjente për situatën e qytetarëve të kryeqytetit.
Burimi: Telegrafi.