Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas caktimit të datës për zgjedhjet e jashtëzakonshme, priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin zgjedhor të 28 dhjetorit. Osmani theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike.
Ajo theksoi gjithashtu se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që procesi të zhvillohet në mënyrë të rregullt, transparente dhe në përputhje me ligjin.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara. Presidentja ritheksoi përkushtimin për forcimin e partneritetit me SHBA-në, që e konsideron aleatin më të rëndësishëm strategjik.
Osmani vendosi që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen më 28 dhjetor, pasi shpërbëri Kuvendin, i cili nuk arriti të zgjedhë qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Në një konferencë për media, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike, Osmani njoftoi se tetë parti ishin për datën 28 dhjetor, pesë për 21 dhjetorin, ndërsa tri parti thanë se çdo datë do t’u përshtatej.
Burimi: Telegrafi.