Osmani priti ambasadorin britanik Hargreaves për buxhetin dhe zgjedhjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Në takim u diskutuan dështimi i partive për të rënë dakord mbi buxhetin, shpërbërja e Kuvendit, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe fushata e pritshme zgjedhore.

Hargreaves tha se ka shprehur shqetësim për mosmarrëveshjen mbi buxhetin. “Shpresojmë për një fushatë zgjedhore të qetë dhe pozitive. Shpreha shqetësim për dështimin e partive politike për të rënë dakord për një zgjatje të buxhetit, Planin e Rritjes së BE-së dhe marrëveshjet e financimit të Bankës Botërore, të cilat do t’i sillnin dobi popullit të Kosovës,” ka shkruar ai.

Ambasadori gjithashtu bëri të ditur se pret bashkëpunim nga partitë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe se Kosova nuk mund të humbasë kohë.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutuan zhvillimet e fundit politike dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Presidentja ritheksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *