Osmani priti kongresistët amerikanë: Prioritet NATO, siguria dhe llogaridhënia për sulmin në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot kongresistët amerikanë Michael Turner dhe Donald Norcross, me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe mundësitë për thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Gjatë takimit, Osmani shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë me kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen bipartizane të SHBA-ve për Kosovën. Ajo vlerësoi se kontributi amerikan ka qenë vendimtar në rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve demokratike.

Presidentja theksoi se Kosova mbetet një vend me orientim të fortë pro-amerikan dhe është e përkushtuar ndaj reformave të brendshme, bashkëpunimit rajonal dhe thellimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Ajo përmendi edhe bashkëpunimin me administratën e Presidentit Trump në fusha me interes të përbashkët.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO, çka Osmani e përshkroi si një imperativ strategjik për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe tërë Evropës. Ajo rikujtoi se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë shërbejnë krah për krah me trupat amerikane në misione jashtë vendit, dhe se Kosova ka rritur buxhetin e mbrojtjes në 2% të GDP-së, me synim dyfishimin brenda pak vitesh.

Në fushën e sigurisë së brendshme dhe ndaj kërcënimeve rajonale, Osmani vlerësoi punën profesionale të institucioneve të sigurisë dhe theksoi rëndësinë e pranisë së vazhdueshme amerikane përmes misionit të KFOR-it, të cilin e quajti garant për paqen në Kosovë dhe rajon.

Presidentja ngriti edhe çështjen e agresionit në Banjskë, duke vënë në dukje se Serbia, edhe pas më shumë se dy vjetësh, vazhdon t’i mbrojë organizatorët dhe autorët e sulmit, përfshirë Milan Radojqiqin, të cilët nuk janë dorëzuar drejtësisë. Ajo theksoi se llogaridhënia për këtë akt dhe për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për parandalimin e veprimeve të ngjashme.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *