Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar pas njoftimit se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar lidhur me Masakrën e Reçakut, një nga krimet më të rënda gjatë luftës në Kosovë.
Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së thekson se kjo ftesë vërteton se Kelmendi ka qenë asistent i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq në kohën e masakrës. Marinkoviq ka qenë e njohur për përpjekjet për të relativizuar krimet në Reçak nga perspektiva e regjimit serb.
“Është e papranueshme që Kryeprokurori i Kosovës, sipas dëshmive, më 16 qershor të ketë qenë në Reçak në krah të palës serbe, në një kohë kur aty kryheshin krime ndaj civilëve shqiptarë. Kjo është një situatë tejet serioze”, thuhet në reagim.
OVL e UÇK-së kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Kelmendit nga detyra dhe përjashtimin e tij nga sistemi i drejtësisë. Sipas organizatës, pavarësisht se Kelmendi është ftuar si dëshmitar, pozita e tij në të kaluarën e bën të papërshtatshëm për të ushtruar funksionin e Kryeprokurorit.
“Nuk mund të kemi Kryeprokuror që ka shërbyer pranë një gjyqtareje si Danica Marinkoviq, e cila mundohej ta mohonte të vërtetën për Reçakun, edhe pas qëndrimeve të qarta të ndërkombëtarëve si Ambasadori William Walker”, thekson organizata.
Sipas OVL e UÇK-së, ftesa nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për Masakrën e Reçakut duhet të jetë arsyeja për largimin e Kelmendit nga sistemi i drejtësisë. “Si qytetar i thjeshtë, e jo si Kryeprokuror, ai mund të japë dëshminë e tij dhe ta përballojë përgjegjësinë për të kaluarën”, përfundon reagimi. /Telegrafi/