Buxheti i vitit 2026 nuk përcakton qartë mjetet për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Është e paqartë nëse fondet e nevojshme do të sigurohen dhe nëse ndërtimi do të nisë, ashtu siç ishte premtuar më parë.
Në buxhetin e propozuar theksohet ndërtimi i Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike dhe i Fakultetit për Kulturë Fizike, por nuk përmenden investime të reja për kampusin e UNT-së.
Qeveria kishte miratuar më 3 shtator 2024 projektin për ndërtimin e kampusit universitar, me një vlerë prej 34.5 milionë eurosh. Ndërkohë, në tetor 2024, ish-zëvendëskryeministri Mexhiti deklaroi se Ministria e Transportit kishte aprovuar kalimin e tokës në pronësi të universitetit, duke shënuar fillimin e realizimit të projektit.
Derimë tani, Universitetit “Nënë Tereza” i janë ndarë rreth 150 milionë denarë për fazën përgatitore të projektit, mjete që përfshihen në buxhetin e vitit 2025. Megjithatë, në buxhetin e vitit 2026, institucionit i është shkurtuar financimi nga 385 milionë denarë në 360 milionë denarë.
Gjithashtu, buxheti i vitit të ardhshëm prek negativisht edhe Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, e cila do të ketë 5 milionë denarë më pak krahasuar me vitin 2025. Edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, tashmë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, nuk do të marrë buxhet shtesë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për rritje të fondeve dhe shtim të stafit.
Në vitin 2026, ky inspektorat do të ketë 275 mijë denarë më pak se në vitin paraardhës, me një total prej 16.611.000 denarësh. Inspektorati vazhdon të përballet me mungesë të stafit, pajisjeve teknike dhe automjeteve zyrtare, duke detyruar inspektorët të përdorin automjetet private për lëvizje në terren.
Ndërkohë, Universiteti i Tetovës shënon një rritje të dukshme në buxhetin e vitit 2026, me një shtesë prej 400 milionë denarësh.