Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka komentuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani që përcakton datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 28 dhjetor. Ai e vlerësoi këtë vendim si të vonuar dhe të nxitur nga kalkulime politike të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat, sipas tij, janë koordinuar me presidenten.
Guri tha në emisionin FIVE të TV Dukagjinit se shpërbërja e Kuvendit është lajm i mirë, por se vendi humbi edhe 15 ditë për shkak të tentativës për të mandatimin e Glauk Konjufcës për kryeministër. Ai theksoi se, si pasojë, është tentuar që zgjedhjet të përcaktohen për 28 dhjetorin.
“Shpërbërja e Kuvendit është lajm i mirë, mbase pak i vonuar, pasi Kosova humbi edhe 15 ditë të tjera. Gjatë këtyre ditëve u tha prej eksponentëve të LVV-së se Kosova po humb kohë, mirëpo vendi i humbi edhe 15 ditë përmes mandatimit të Glauk Konjufcës. Siç duket, marrëveshja për mandatimin e Konjufcës ka patur për qëllim tentimin që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor. 28 dhjetori nuk është ndonjë problem për LDK-në”, tha Guri.
Ai shtoi se LDK-ja ka dalë e para në zgjedhjet e 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe shprehu optimizëm për rezultatin tek votuesit jashtë vendit.
Guri kritikoi LVV-në pasi, sipas tij, partia po pret “shpëtim” nga diaspora, ndërkohë që diasporës i prekin drejtpërdrejt çështjet ekonomike në Kosovë. Ai tha se anëtarët e diasporës dinë situatën ekonomike dhe ndikimin e rritjes së çmimeve dhe faturave të energjisë në familjet e tyre.
Sipas Gurit, shtyrja e datës së zgjedhjeve deri më 28 dhjetor vonon proceset institucionale, nga konstituimi i Kuvendit deri te votimi i qeverisë së re. Ai përsëriti se, sipas tij, këto kanë qenë kalkulime të LVV-së të koordinuara me presidenten Osmani.