Parlamenti miraton në parim buxhetin 2026 dhe paketën fiskale

Pas një seance maratonë prej afro 17 orësh, e përfunduar rreth orës 03:00 të mëngjesit të së enjtes, Kuvendi miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2026 dhe tetë projektligjet që përbëjnë paketën fiskale për vitin e ardhshëm.

Projektbuxheti, me një vlerë prej 8.8 miliardë euro, u miratua me 83 vota pro nga shumica socialiste, ndërsa 32 deputetë të opozitës votuan kundër.

Dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, abstenuan nga disa votime:
– Erion Braçe nuk mori pjesë në votimin për projektligjin “Për disa shtesa në ligjin ‘Për sistemin e taksave vendore’”, i cili kaloi me 82 vota pro dhe 32 kundër.
– Vullnet Sinaj nuk mori pjesë në votimin për dy projektligje: “Për marrëveshjen e paqes fiskale” dhe “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe asaj doganore”. Ky i fundit u miratua me 82 vota pro dhe 30 kundër.

Projektligjet e miratuara me 83 vota pro dhe 32 kundër janë:
– “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’”
– “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për tatimin mbi të ardhurat’”
– “Për disa shtesa në ligjin ‘Për sistemin e taksave vendore’”
– “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”
– “Për marrëveshjen e paqes fiskale”
– “Për buxhetin e vitit 2026”

Me 83 vota pro dhe 31 kundër u miratuan:
– “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’”
– “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”

Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe të detyrimeve në doganë” u miratua me 82 vota pro dhe 30 kundër.

Projektbuxheti 2026 parashikon një total prej 886 miliardë lekësh (afro 8.8 miliardë euro), të cilat do të ndahen për shëndetësinë, pagat, mbështetjen për shtresat në nevojë, pensionet, arsimin, punësimin, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë dhe sigurinë, në përputhje me detyrimet ndaj NATO-s.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në 823.1 miliardë lekë, ose 29.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një rritje prej 52.9 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025. Shpenzimet parashikohen në 886.8 miliardë lekë, ose 31.9% të PBB-së, me një rritje prej 55 miliardë lekësh.

Projektbuxheti do të vazhdojë të shqyrtohet nen për nen në seancat e ardhshme parlamentare.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *