Pas dështimit të dytë për formimin e qeverisë, deputetë nga partitë kryesore politike në Kosovë kanë reaguar me qëndrime të ndryshme, duke i bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të ndërmarrë hapat e nevojshëm kushtetues.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, u shpreh se presidentja tani ka obligimin të shpallë sa më parë datën për zgjedhjet e reja. Ai theksoi se dështimi ka qenë i paralajmëruar dhe se shteti ka humbur kohë të çmuar në një proces pa rezultat.
“Kemi mbi nëntë muaj nga zgjedhjet dhe qytetarët i kanë thënë ‘jo’ referendumit të Kurtit. Kam paralajmëruar që më 27 prill se ky ngërç do të vazhdojë dhe kam kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje më herët. Pas këtij dështimi të paralajmëruar, presidentja është e obliguar të shpallë sa më parë datën e zgjedhjeve. Propagandat e pavërteta të dëgjuara në seancën e parë nuk qëndrojnë – Kosova nuk rrezikon fondet e BE-së, kreditë apo pagat e qytetarëve,” tha Krasniqi.
Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, e quajti procesin një “shfaqje teatrale” nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai kërkoi nga presidentja që të respektojë afatet kushtetuese dhe të mos lejojë ndërhyrje në procedura.
“Loja me numra këto tetë muaj dhe dështimi i sotëm ishin të paralajmëruar. Vendit nuk i mbetet rrugë tjetër përveçse të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Është lajm i keq, por i pritshëm,” u shpreh Zemaj.
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati, akuzoi partitë opozitare se janë bashkuar me Listën Serbe për të kundërshtuar Albin Kurtin.
“Sot u pa qartë se opozita, bashkë me Listën Serbe, u unifikuan për ta bllokuar Kurtin. Janë të gatshëm të lënë 700 punëtorë të RTK-së pa paga, 85 mijë shërbyes civilë, 400 mijë fëmijë pa shtesa dhe 300 mijë pensionistë pa pensione, vetëm që të mos i mbetet atyre faji. Shpresoj që qytetarët ta kenë këtë parasysh në zgjedhjet që po vijnë,” tha Murati.
Pas dështimit të votimit të mandatarit Glauk Konjufca, pritet që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.