Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën parlamentare të thirrur për sot në orën 11:00. Në një konferencë për media, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se kjo seancë është e paligjshme dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në seancën e planifikuar parashihet formimi i komisioneve parlamentare dhe diskutimi për çështje si buxheti, marrëveshjet ndërkombëtare dhe financimi i RTK-së. Po ashtu, për sot është caktuar edhe një seancë tjetër në orën 14:00, në të cilën do të votohet Qeveria e re e Republikës së Kosovës.
“PDK nuk do të jetë pjesë e një seance të paligjshme. Nuk do të bëhemi fasadë për të mbuluar dështimet e të tjerëve. Kjo seancë është thirrur jo për interesin e qytetarëve ose të ligjeve, por për të shpëtuar nga përgjegjësia një pushtet që për më shumë se 10 muaj ka refuzuar të marrë vendime”, u shpreh Çitaku.
Ajo akuzoi Qeverinë në detyrë për bllokim institucional dhe tha se vendi ka humbur tërësisht vitin 2025 për shkak të mungesës së funksionalitetit të institucioneve. Sipas saj, që prej zgjedhjeve të 9 shkurtit, qytetarët presin një qeveri të re dhe institucione funksionale, gjë që nuk ka ndodhur.
Çitaku akuzoi gjithashtu Lëvizjen Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, për zvarritje të procesit të formimit të institucioneve dhe për shmangie të përgjegjësisë përmes manipulimeve me afatet ligjore.
“Seanca që do të mbahet pas pak minutash është farsë dhe truk politik. Ajo nuk është zgjidhje, por tentim për të mbuluar dështimet. Kur bëhet fjalë për formimin e institucioneve kemi zvarritje dhe pasiguri, ndërsa kur bëhet fjalë për shmangie të përgjegjësisë ka nxitim dhe shkelje të rendit kushtetues”, deklaroi Çitaku.