Përfundon ‘Shpata e Artë 2025’ me pjesëmarrjen e KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it

U përmbyll me sukses ushtrimi i përbashkët “Shpata e Artë 2025”, i udhëhequr nga KFOR-i i NATO-s, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e gatishmërisë për t’u përgjigjur ndaj skenarëve kompleksë të sigurisë. Në të morën pjesë Policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas një komunikate të KFOR-it, FSK-ja mori pjesë në ushtrim në përputhje me mandatin e saj për mbrojtje civile, duke kontribuar në koordinimin ndërinstitucional dhe në menaxhimin e situatave emergjente.

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutas, vlerësoi përfundimin e ushtrimit si një arritje të rëndësishme për sigurinë në vend: “Përfundimi i ushtrimit ‘Shpata e Artë 2025’ përfaqëson një moment të rëndësishëm. Ky ushtrim pasqyroi gatishmërinë e të gjithë personelit pjesëmarrës për të punuar së bashku në skenarë kompleksë sigurie dhe demonstroi vlerën e shtuar që sjell koordinimi i ngushtë midis KFOR-it dhe organizatave të sigurisë së Kosovës për një siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitet rajonal,” deklaroi ai.

KFOR-i konfirmoi angazhimin për krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së. /Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *